Kryetari i AKR-së, Behgjet Pacolli, ka thënë se sot, me shefen e shtetit, Vjosa Osmani dhe ish-krerët e tjerë të vendit, ishin përsëri së bashku në këtë ditë të shënuar për të kujtuar dhe nderuar Presidentin e parë të Kosovës, Ibrahim Rugova, i cili sipas tij, vazhdon t’i mungojë skenës politike, por që mbetet frymëzim për ne dhe brezin e ri të Kosovës.
Pacolli nëpërmjet një postimi në Facebook tha se falë largpamësisë së tij Kosova fitoj miq të shumtë dhe më vonë pavarësinë e merituar, për të cilën ishte arkitekt.
“Së bashku jemi gjithmonë më të fort si shtet, dhe për këtë e përgëzoj Znj. Osmani për iniciativat e saj të fundit”, shkroi ai.
Tutje, Pacolli foli edhe për ish-presidentin, Hashim Thaçi, i cili gjendet në Hagë, gjersa uroi që ky i fundit të kthehet sa më shpejt në vendin dhe familjen e tij.
“Mos të harrojmë se Presidenti i fundit i Kosovës Hashim Thaçi vazhdon të përballët me drejtësinë padrejtësisht dhe i urojë kthim sa më të shpejt në familjen dhe vendin e tij.
Kosovës i kemi borxh shumë, sepse është vendlindja ynë, dhe meriton çdo të mirë por po ashtu nuk duhet ti harrojmë asnjëherë ata që sakrifikuan çdo gjë për Kosovën”, tha Pacolli.