Kryetari i komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, është takuar në Tiranë me ish-presidentin dhe ish-kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, Sali Berisha, me të cilin ka biseduar situatën në Mitrovicë dhe për zhvillimet e fundit në Kosovë, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.

Berisha është shprehur se është kategorik kundër ndarjes së Kosovës.

“Të dy jemi kategorik se integriteti territorial i Republikës së Kosovës është i pa prekshëm dhe i shenjtë për të gjithë shqiptarët. Është mjerim i madh të shikosh se si Vuçiqi idenë e tij e të Serbisë për gllabërimin e territorit të Kosovës, po e shet te njerëz të caktuar në Prishtinë, edhe pse të gjithë shqiptarët e dinë, por edhe të tjerët se Serbia nuk ka në Kosovë as edhe një metër tokë të saj”, tha Berisha.

Sipas tij, kufijtë aktual të Kosovës të njohur ndërkombëtarisht, janë sanksionuar me aktin e shpalljes së pavarësisë së saj, me pakon e presidentit Ahtisari, me vendimin e Gjykatës ndërkombëtare të Hagës, me njohjen nga ana e 115 shteteve të botës, prandaj askush nuk ka të drejtë, nuk mund dhe nuk guxon t’i nëpërkëmbë këta kufij për qëllime përfituese të Serbisë.

“Agim Bahtiri gjykon se Mitrovica e Veriut është peng e bandave kriminale të telekomanduara nga Serbia. Unë ndaj me Agimin shqetësimin e tij të thellë për zhvillimet e fundit. Uroj që ai dhe faktorët tjerë politik në Kosovë, t’u japin përgjigjen e duhur serbëve e Beogradit dhe argatëve të tyre në Kosovë, se nuk duhet të ketë tjetërsim të territorit të Kosovës”, u shpreh Berisha, transmeton Koha.net.

Po ashtu, Berisha shtoi se nuk është interes i shqiptarëve dhe as interes i qytetarëve të Ballkanit të hapet kutia e Pandorës, që të ridizajnohen kufijtë, sepse atëherë pasojat do të ishin të rënda për të gjithë.

Bahtiri tha se angazhimi i Berishës lidhur më zhvillimet e fundit lidhur me Kosovën, është kontribut për paqe në Ballkan.

“Pata nderin të bisedoj me një njeri shumë të çmuar, politikanin më të njohur e të shquar shqiptar, siç është Berisha. Biseduam për Mitrovicën dhe për çështjet madhore të Kosovës e të shqiptarëve. Gjeta mbështetjen e fuqishme te Berisha për qëndrimet e mia lidhur me Mitrovicën dhe zhvillimet e fundit, përkatësisht për mos lejimin e humbjes të asnjë pëllëmbe të territorit të Kosovës. Berisha është fuqimisht i përkushtuar për paqe në Kosovë dhe në Ballkan. Unë e falënderoj shumë për mbështetjen që më dha dhe për interesimin e tij të vazhdueshëm për Mitrovicën, Kosovën dhe çështjen kombëtare”, tha Bahtiri.