Besart Berisha shpallet për herë të 4-ët në karrierë kampion i Australisë. Sulmuesi i përfaqësueses së Kosovës fitoi titullin e dytë kampion me Melbourne Victory pas atij në sezonin 2014-2015, pasi skuadra e tij mposhti në finalen e play-offit, Newcastle Jets me rezultatin 1-0 falë një goli të Barbarouses në minutat e para të ndeshjes.
Berisha u aktivizua titullar në këtë sfidë duke qëndruar në fushë gjatë gjithë 90-minutëshit dhe duke bërë një paraqitje pozitive. Një sukses i merituar ky për Melbourne Victory që edhe pse e mbylli sezonin e rregullt në vendin e 4-t, eliminoi nga faza play-off skuadrat më të mira Sydney-in dhe në finale mundi Newcastle Jets.
Berisha kishte rëndësinë e tij në këtë titull të fituar nga skuadra e trajnerit Kevin Muscat pasi 33-vjeçari nga Prishtina realizoi golin e fitores në çerekfinalen ndaj Adelaide United në minutën e 89-të ndërsa dha edhe një asist në një nga golat në fitoren ndaj Sydney-it, pa harruar këtu edhe 13 golat që realizoi në sezonin e rregullt.
Tashmë janë 4 titujt e fituar nga Besart Berisha në futbollin australian dy me Brisbane Roar dhe 2 me Melbourne Victory./supersport.al