Besimtarët myslimanë në mbarë botën po festojnë sot Fitër Bajramin, kështu njëherit është viti i dytë që po festohet duke u respektuar masat anti-COVID nëpër xhami dhe tek të afërmit e tyre.
Megjithatë ndryshe ka qenë sot në Rripin e Gazës, ku besimtarët kanë falur Bajramin në rrënoja të objekteve të shembura nga bombardimet e ashpra që janë kryer nga ushtria izraelite, transmeton Telegrafi.
Grupi militant Hamas në Gaza, i ka bërë thirrje qytetarëve të shënojnë Bajramin nëpër shtëpi apo xhamitë më të afërta – me qëllim që të shmangen tubimet nga frika se mund të vie deri te më e keqja.
“Gjithçka është shkatërruar nga sulmet ajrore”, tha Hassan Abu Shaaban i cili mundohej të dispononte fëmijët dhe kalimtarët e rastit të cilëve u dhuronte çokollata.
Besimtarët kanë mbajtur maska si nëpër xhami ashtu edhe në rrugë në kryeqytetin e Indonezisë – Xhakarta. E ky vend që konsiderohet me popullsinë më të madhe myslimane ka lejuar faljen e Bajramit nëpër xhami me numër të vogël të besimtarëve.
Megjithatë qytetarëve të Indonezisë dhe Malajzisë u është ndaluar për të dytin vit me radhë udhëtimi, madje edhe vizitat në numër të madh në xhaminë Istiqlal që konsiderohet si xhamia më e madhe në juglindje të Azisë.
E në Bangladesh, dhjetëra mijëra besimtarë ia mësyn fshatrave për të festuar nëpër ambiente të hapura – duke lënë pothuajse të zbrazët kryeqytetin – Dhaka.
Situatë e ngjashme ishte edhe në Pakistan dhe Mekë ku autoritetet bënin thirrje që të respektohen masat anti-COVID gjatë riteve fetare.
Në Filipine besimtarët shiheshin duke festuar në ambiente të gjelbëruara, me qëllim që edhe nëse vie deri te përhapja e COVID-19, “dëmet” të jenë më të vogla për faktin se tubimet në ambiente të hapura konsiderohen më pak të rrezikshme sesa ato në ambiente të mbyllura.