Kryetari i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, në fjalën e tij pas rifillimit të seancës së kuvendit ka thënë se shpreson që sot të ketë një minimum të reflektimit të qeverisë në raport me kërkesën për debat rreth përfshirjes së veteranëve në ligjin për paga.

Ai tha se ligji për pagën minimale trajton një temë, që sipas tij, sot s’është as temë, sepse në sektorin privat nuk ka pagë nën 250 euro.

“Ky ligj s’ka asnjë ndikim. I vetmi ndikim që ky ligj ka sot është që të bëhet llugë Kosova. Me t’i pru veteranët përpara kuvendit, me kriju kauza pa kurrfarë nevoje. Fjala e fundit e demokracisë është konsultimit paraprak, është ndërtimi i konsultimit”.

“Ju po thoni se si grup parlamentar keni më së shumti veteranë, por kush iu ka konsultuar juve me iu thanë se “çka po ua merr mendja bre burra se duam ta sjellim një ligj?”. Kush na ka konsultuar neve? A duhet t’i thoni një iniciative blanko “jo””, është shprehur Tahiri.

“Pse duhet një kërkese të opozitës t’i thuhet blanko jo? Ju lutem, po ju kërkojmë vetëm që të diskutohet kjo çështje. Mani, mani se nuk bën kështu. Nëse dëshironi debat përmbajtësor, hajde ulemi edhe diskutojmë. Ju po thoni se po e rrisim pagën minimale, nuk ka në Kosovë rrogë nën 250 euro”, ka thënë Tahiri.

Ai kërkoi prej qeverisë që të ulet me palë dhe të diskutohet përpara se të vijë tek trajtimi sepse sipas tij, partitë politike në kuvend kanë dimensione të ndryshme.

“Kemi me pasë shumë situata ku mund të shtyhemi e të mos shtyhemi për një kauzë kombëtare”, është shprehur Tahiri