Sot shënohet 21-vjetori i njëra prej betejave më të lavdishme të UÇK-së jo vetëm në Llap, por edhe në gjithë Kosovën e njohur si “Beteja e Kaqandollit”, njofton Llapi.info.

21 vjetori shënon përballjen e parë frontale në Llap që e zhvilloi UÇK-ja kundër forcave të okupatorit serb. Ishte kjo beteja e parë, ku trimat dhe trimëreshat e lirisë, të rreshtuar në radhët e UÇK-së në Zonën e Llapit u ndeshën me forcat barbare serbe dhe zhvilluan luftime për tri ditë me radhë, duke i shkaktuar forcave armike humbje të mëdha, si në njerëz ashtu edhe në teknikë luftarake.

Gjatë betejës më 15, 16 dhe 17 shtator të vitit 1998 ranë edhe shtatë dëshmorë: Bekim Maliqi, Bekim Lushaku, Habib Zeka, Nazmi Zhegrova, Fadil Sejdiu, Islam dhe Selim Rekaliu, si dhe u plagosën disa luftëtarë të tjerë.

Në nderim të kësaj dite, në ora 10:00 do të bëhen homazhe në Kompleksin e Varrezave të Dëshmorëve në Penuhë. Ndërsa, nën organizmin e përbashkët të Komunës së Podujevës dhe Organizatës së Veteranëve të Luftës UÇK-së në Podujevë, do të mbahet manifestim qendror dhe do të bëhen homazhe tek lapidari i shtatë dëshmorëve të rënë në Betejën e Kaqandollit (ora 12:00).

Image may contain: text

Po ashtu, në 21 vjetorin e betejës së lavdishme të Kaqandollit, në vendin ku pushka e heronjve jepi jehonë do të dhurohet gjak, iniciativë kjo nga Qendra Kombëtare e Transfuzionit të Gjakut Prishtinë në bashkëpunim me Iniciativën Vullnetare “RB”./Llapi.info

No photo description available.