Biblioteka në Gjimnazin “Aleksandër Xhuvani” në Podujevë nuk është funksionale për lexim tashmë e dy vite. Kjo për shkak të mungesës së një bibliotekisti, njofton Llapi.info.

Drejtori i Gjimnazit “Aleksandër Xhuvani” në Podujevë, Naim Salihu, ka thënë për Llapi.info se kjo bibliotekë është funksionale për interesa të shkollës, por jo për lexim.

“Për momentin është mungesa e punëtorit dhe bibloteka nuk është funksionale siç duhet të jetë. Tash e dy vite kjo biblotekë po shfrtëzohet për interesa të shkollës, për mbajtjen e mbledhjeve”, ka thënë Naim Salihu.

Ai ka shtuar se kjo bibliotekë është mbyllur përkohësisht duke e menduar një zgjidhje kolektive.

“Ne e kemi mbyllur këtë biblotekë përkohësisht duke e menduar të bëjmë një zgjidhje si kolektiv. Në rast se ndonjë profesorë me përvojë 20 – 30 vjeçare mbetet pa punë për shkak të korrikulave të reja, ne e pyesim profesorin se a dëshiron të punojë si biblotekist pasi paga është më e ulët. Nëse ai pranon ne e bëjmë kërkesën në Drejtorinë e Arsimit për punësim si biblotekist”, ka shtuar Salihu.

Ani pse kjo bibliotekë nuk shfrytëzohet për lexim, nxënësit e kësaj shkolle mund të marrin libra për lexim. Regjistrin e tyre e bën vet drejtori.

“Pasi bibloteka nuk shfrytëzohet për lexim, nxënësit marrin libra për lexim. Regjistrin e tyre e bëj unë. Afati i kthimit të librit varet nga vëllimi i librit”, ka thënë Salihu.

Sipas tij, biblioteka e Gjimnazit “Aleksandër Xhuvani” ka mbetur pa bibliotekist që nga vdekja e ish-bibliotekistit. Koha kur ish- bibliotekisti ka ndërruar jetë nuk është bërë e ditur./Llapi.info