Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden i ka shkruar letër Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani.
Në këtë letër, Biden përveç urimeve që i ka përcjellë Osmanit për zgjedhjen e saj si Presidente e Kosovës, ai ka theksuar se ShBA mbështet vazhdimin e dialogut Kosovë-Serbi, i cili duhet të përqendrohet në njohje reciproke.
Biden ka thënë se SHBA-ja do t’i mbështesë përpjekjet për sigurimin e paqes së qëndrueshme mes dy vendeve.
“SHBA-ja do të vazhdojë t`i mbështesë përpjekjet për sigurimin e paqes së qëndrueshme dhe dialogut produktiv ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe përfundimisht marrëveshjes gjithëpërfshirëse për normalizim, e cila besojmë se do të duhej të përqendrohej në njohjen reciproke”, thuhet në letrën e Bidenit dërguar Osmanit.
Ai ka shtuar se normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë është esenciale për Kosovën që të realizojë potencialin për integrim në institucionet euroatlantike.
“E di që për të arritur këtë duhet fleksibilitet dhe kompromise të vështira gjatë rrugës dhe SHBA-ja do të jetë partner i juaj në çdo hap”, ka thënë Biden në letrën dërguar Osmanit.