Kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, ka pritur sot në një takim Ilir Abdullahun – kryeshef ekzekutiv i KUR “Prishtina”, drejtorin teknik Sokol Xhafa si dhe Alan Brown dhe Astrit Vokshi – përfaqësues të Asociacionit të Përbashkët Dorsch/CDI, e cila e implementon “Programin mbështetës për furnizim me ujë dhe kanalizime në zonat rurale të Kosovës, faza e 5-të”, thuhet në kumtesën e Komunë së Podujevës, transmeton Llapi.info.

Në takimin e sotëm të kryetarit Veliu me drejtuesit e KUR “Prishtina” dhe përfaqësuesit e Asocicionit të Përbashkët Dorsch/CDI, u bisedua për zgjidhjen e çështjes së furnizimit me ujë të pijshëm për banorët e fshatit Orllan me rrethinë dhe realizmin e projektit për trajtimin biologjik të ujërave të zeza.

Lidhur me ndërtimin e ujësjellësit dhe furnizimit me ujë të fshatit Orllan, kryetari Veliu dhe kryeshefi i KUR “Prishtina” u pajtuan që të gjendet një zgjidhje sa më e shpejtë për këtë çështje.

“Me kryeshefin Abdullahu u dakorduam që KUR “Prishtina” të fillojë me hartimin e projektit për ndërtimin e ujësjellësit për furnizim me ujë të pijshëm të banorëve të asaj zone”, tha kryetari Veliu.

Veliu premtoi se me rishikimin e buxhetit komunal për vitin 2017 do të ndahet një shumë e mjeteve për ndërtimin e rrjetit të ujësjellësit për fshatin Orllan dhe se do të angazhohet që të gjejë forma të financimit të projektit edhe nga niveli qendror.

Kryeshefi ekzekutiv i KUR “Prishtina” Ilir Abdullahu, ka shprehur gatishmërinë për investime në zgjidhjen e çështjes së ujit të pijshëm për Orllanin dhe fshatrat përreth, duke thënë se menjëherë do të fillojnë me hartimin e projektit për ndërtimin e rrjetit të ujësjellësit.

Në këtë takim e sotëm përfaqësuesit e Asociacionit të Përbashkët Dorsch/CDI, Alan Brown dhe Astrit Vokshi, e informuan kryetarin Veliu se është në fazën e prokurimit projekti zbatues për ndërtimin e rrjetit të kanalizimit dhe impiantit për trajtimin biologjik të ujërave të zeza në Orllan.

Projekti në vlerë prej 500 deri 600 mijë euro financohet nga Zyra Zvicerane për bashkëpunim në Kosovë dhe implementohet nga Asociacioni i Përbashkët Dorsch/CDI në kuadër të “Programit mbështetës për furnizim me ujë dhe kanalizime një zonat rurale në Kosovës, faza e 5-të”. kurse punimet do të fillojë menjëherë pas përfundimit të procedurave të prokurimit.

Kujtojmë se ditë më parë banorët e fshatit Orllan përmes një proteste kanë kërkuar nga organet gjegjëse të Komunës së Podujevës që tu bëhet një zgjidhje dhe të mos i lënë ata pa ujë të pijshëm./Llapi.info