Zyrtari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, ka ngushëlluar për vdekjen e 42-vjeçarit nga Podujeva, Fehmi Gashi, njofton Llapi.info.

Sulmi kardiak ishte fatal për 42-vjeçarin, i cili u gjend i vdekur sot nga familjarët në banesën e tij në Prishtinë. Vdekja e hershme ka pikëlluar edhe Besnik Tahirin, i cili ka ngushëlluar dhe ka kujtuar mikun e tij në rrjetin social Facebook.

“I pikëlluar dhe i tronditur për lajmin e vdekjes së hershme të shokut të fëmijërisë, Fehë Gashi. Fehën përherë do ta kujtoj të buzëqeshur, me një sens të veçantë humori, të dashur për shoqërinë, ballëhapur dhe faqebardhë para secilit prej nesh. Feha, asnjëherë nuk mërziste të tjerët, ai me punën e njerzillakun e tij përherë sillte emocion të sinqertë”, ka shkruar Tahiri në Facebook.

Tahiri ka njoftuar se varrimi i Gashit do të bëhet nesër nga ora 18:00, në varrezat e fshatit Dobërdol të Podujevës.

“Vdekja e hershme është humbje, jo vetëm për familjen, por buzëqeshja e tij dhe dashuria do t’iu mungojë të gjithëve. I njoftoj të gjithë që lamtumira e fundit për Fehë Gashin do të bëhet nesër, e mërkurë në ora 18:00 në varrezat e fshatit Doberdol të Podujevës. Bali Fehë lamtumirë, ti përherë do të mbetesh në kujtesën time si vëlla e shok i vërtetë”, ka shkruar tutje ai.

Ndërkohë, vdekjen e 42-vjeçarit e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës. Gashi ishte biznesmen i njohur, ai ishte pronar i dyqaneve të tekstilit “Charlie”./Llapi.info