Teksa mandati i parë i presidentit të SHBA-së, Donald Trump është në ditët e fundit, takimi në Shtëpinë e Bardhë rreth Kosovës mund të jetë mundësia më e madhe e Serbisë për sigurimin e avantazhit në zgjidhjen e një prej çështjeve më të kahmotshme të Evropës, shkruan të enjten “Bloomberg”.

Konflikti që erdhi pas luftës së dy dekadave më parë dhe shpalljes së pavarësisë së Kosovës nuk është afër zgjidhjes, me gjithë përpjekjet shumëvjeçare nëpërmjet negociatave. Kosova po kërkon njohje, gjë të cilën Serbia e refuzon.

Pas ndërmjetësimit të një marrëveshjeje midis Izraelit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe gjatë muajit të kaluar, administrata Trump po mundohet ta sigurojë një fitore të radhës para zgjedhjeve presidenciale të nëntorit, teksa ka ftuar presidentin serb, Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hoti për një takim në Shtëpinë e Bardhë të enjten.

Beogradi shpreson se Trumpi, që është munduar të devijojë prej qëndrimit të SHBA-së kundruall konflikteve në Ballkan duke u shkëputur prej atyre të epokës së Clintonit, kur NATO-ja i bombardoi serbët në vitet nëntëdhjetë, mund të ushtrojë presion të mjaftueshëm për ta siguruar një marrëveshje më në linjë me dëshirat e saj. Ndonëse përfaqësuesi i Trumpit për Kosovën dhe Serbinë, Richard Grenell ka thënë se takimi do të fokusohet tek çështjet ekonomike, në Ballkan po shpresohet se Trumpi do të bëjë një paraqitje në këtë takim.

“Ky president është më i prirur kah Serbia, sesa ndonjë president tjetër në SHBA”, iu ka thënë Vuçiqi gazetarëve në Beograd gjatë javës së kaluar. “Ende nuk e dimë se cila do të jetë agjenda, përveç se duhet të flasim rreth ekonomisë. Por, mundësia që Trumpi të jetë i pranishëm dëshmon se mund të ketë edhe ide tjera”, ka thënë ai.

Mundësitë për ndonjë arritje të madhe janë të vogla teksa nisma e Ëashingtonit e ka zemëruar Bashkimin Evropian, që është duke i ndërmjetësuar bisedimet midis dy fqinjve në Ballkan dhe që thotë se përpjekjet amerikane synojnë një fitore të shpejtë diplomatike, në vend të gjetjes së një zgjidhjeje. Një takim i mëparshëm në Shtëpinë e Bardhë kishte dështuar, pasi presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi u përball me aktakuzë për krime lufte, përfshirë gati rreth 100 vrasje, të cilat ai i mohon.

Një këshilltar special i Trumpit, që ka kërkuar të mos identifikohet, ka thënë se bisedimet e së enjtës do të fokusohen tek tri marrëveshjet e mëparshme për linjat hekurudhore, rrugore dhe ajrore midis Kosovës dhe Serbisë, të cilat ende nuk janë zbatuar. Pas vitesh të ngërçit politik, SHBA-ja dëshiron shohë nëse lidhjet më të mira ekonomike do të sjellin sukses më vonë, ka thënë ky këshilltar.

Këshilltari ka thënë se Trumpi ende nuk kishte vendosur nëse do të marrë pjesë. Vendimi i presidentit me gjasë do të varet nga progresi të enjten.