Lëvizja Vetëvendosje është duke vazhduar me fushatën zgjedhore në Podujevë, njofton Llapi.info.
Kandidati i kësaj partie, Shpejtim Bulliqi ka takuar sot banorët e fshatit Llugë. Nga atje, Bulliqi premtoi ndryshime në arsim, ekonomi, shëndetësi, infrastrukturë e në shumë fusha të tjera. Ai u zotua se programi i tij qeverisës do të bëjë kthesë të madhe në Podujevë.
Ndërsa, deputetja nga radhët e Vetëvendosjes, Saranda Bogujevci, u shpreh e bindur se programi i Bulliqit ia kthen dinjitetin qytetarëve të Podujevës. Ajo i bëri thirrje elektoratit që më 15 mars të votojnë të ardhmen e tyre dhe për Shpejtim Bulliqin.
“Mendoj që është koha e duhur që t’ia japim komunën edhe t’ia kthejë dinjitetin këtij vendi. Profesori do ta ketë Lëvizjen mbrapa dhe çka është me rëndësi do t’i ketë të gjithë qytetarët e këtij vendi mbrapa dhe besoj që së bashku do ta rregullojmë një jetë më të mirë në këtë vend….Kërkoj nga ju që të dielën më 15 mars të dilni të vendosni për të ardhmen e Llapit e Gollakut”, u shpreh Bogujevci.
Këto zgjedhje të jashtëzakonshme vijnë pasi ish-kryetari Agim Veliu dha dorëheqje për postin ministrit të Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike./Llapi.info