Izraeli vazhdoi të bombardojë Rripin e Gazës me sulme ajrore dhe predha artilerie edhe këtë të shtunën. Disa fëmijë dhe gra janë vrarë në një kamp refugjatësh.
Të paktën 137 palestinezë, përfshirë 36 fëmijë, janë vrarë dhe 920 janë plagosur që nga fillimi i luftimeve të hënën.
Numri i të vdekurve pritet të rritet, ndërsa një seri tjetër e sulmeve ajrore izraelite goditi kampin e refugjatëve Shati në Gaza duke vrarë të paktën dy gra dhe shtatë fëmijë, ndërsa disa të tjerë janë në rrënoja. Të paktën 15 persona u plagosën. Një sulm tjetër ajror gjithashtu thuhet se goditi një shtëpi në Khan Yunis, raporton Aljazeera, përcjell abcnews.al.
Mijëra familje palestineze janë strehuar në shkollat e Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Gaza veriore për t’i shpëtuar zjarrit të artilerisë izraelite. OKB ka thënë se rreth 10,000 palestinezë kanë lënë shtëpitë e tyre në Gaza mes ofensivës izraelite.
Pavarësisht thirrjeve ndërkombëtare për ndërprerje të menjëhershme të të gjitha armiqësive, duke përfshirë atë nga shefi i Organizatës së Kombeve të Bashkuara Antonio Guterres, Kryeministri i izraelit Benjamin Netanyahu u zotua që ofensiva do të vazhdojë “siç është e nevojshme për të rivendosur qetësinë në shtetin e Izraelit”.
Hamasi lëshoi një tjetër breshëri raketash drejt Izraelit, duke goditur qytetin Ashdod në orët e para të së shtunës, shkruan abcnews.al.
Të paktën nëntë njerëz në Izrael janë vrarë gjithashtu. Ushtria izraelite tha se qindra raketa janë qëlluar nga Gaza drejt vendeve të ndryshme në Izrael dhe ata kanë shtuar përforcime pranë tokave lindore të enklavës.
Ndërkohë, dhuna po zhvillohet midis kolonëve izraelitë dhe qytetarëve palestinezë në Bregun Perëndimor të okupuar, si dhe në Izrael. Të paktën 11 palestinezë janë vrarë gjithashtu nga forcat izraelite të sigurisë në Bregun Perëndimor.