Gjashtë shkolla e dy çerdhe të fëmijëve janë bombarduar në provincën e Idlibit në Siri brenda një dite të vetme, duke lënë të vrarë 21 persona.
Shkollat dhe çerdhet e sulmuara ndodheshin në qytetin Idlib dhe në rrethinën e tij. Bombardimet u kryen nga forcat qeveritare siriane, të përkrahura nga forcat ruse. Shifrën e viktimave e dha grupi për mbrojtje civile, “Helmetat e Bardha”.
Yousef Kashto, mësues në një shkollë në Idlib, tha se bombardimet filluan në orën 8 të mëngjesit, duke bërë që mësuesit t’i dërgojnë fëmijët në shtëpi. Megjithatë, përderisa fëmijët po largoheshin nga shkolla, një bombë ra në oborrin e shkollës, duke i lënë të vdekur tre mësues e një nxënës dhe duke i lënduar rëndë gjashtë të tjerë.
Së paku 22 ndërtesa të institucioneve arsimore janë bombarduar vetëm gjatë këtij viti, ndërsa 400 civilë janë vrarë që nga fillimi i ofensivës së forcave të Asadit dhe aleatëve rusë në pjesën veriperëndimore të Sirisë.
Sipas Kombeve të Bashkuara, rreth një milion njerëz janë shpërngulur nga shtëpitë e tyre dhe janë vendosur në zonat kufitare me Turqinë, shkruan “The Guardian”, transmeton Gazeta Express.
Kufiri mes Turqisë dhe Sirisë është i mbyllur për refugjatët, të cilët po detyrohen të qëndrojnë në kushte të rënda gjatë dimrit të acartë. Shtatë fëmijë kanë vdekur si pasojë e temperaturave të ulëta dhe kushteve të rënda të jetesës në kampet e refugjatëve.