Nurije Zeqiri, 60-vjeçare nga Braina e Podujevës ka mbetur e vetme me dy vajzat e saj. Burri dhe djemtë e kanë braktisur tash e sa kohë dhe askush nuk i viziton.
Nurije Zeqiri, vuan nga sëmundja e mushkërive, derisa, njëra vajzë nuk i flet fare, e tjetrës i mungojnë disa gjymtyrë. Ajo nuk ka para që t’i dërgojë për kontroll te mjeku.
“Një njërën anë varfëria e në anën tjetër sëmundjet e vajzave, ngase njëra nuk flet fare, ndërsa tjetra nuk i ka disa gjymtyrë, janë dy gjëra me të cilat përballem unë çdo ditë. E ajo që më dhemb më së shumti është se si nuk munda asnjëherë të paktën vajzat t’i dërgoj te mjekët për t’u kontrolluar dhe për të parë nëse kanë shërim, pra unë si nënë e tyre nuk jam në gjendje që këtë gjë t’ua plotësoj”, ka thënë ajo.
“Këto janë e vetmja familje imja, sepse unë nuk kam tjetër. Të tjerët më kanë braktisur dhe ajo që më mban gjallë është lumturia e këtyre vajzave, andaj çdo ditë jetoj me shpresën se edhe për to do të bëhet mirë, do të mund t’i dërgoj ndonjëherë te mjeku e po ashtu shtëpinë do të mund ta rregulloj që të paktën të jetojmë si duhet”, ka shtuar ajo.
Këtë familje, përveç organizatës së ‘Kryqit të Kuq’ dhe disa ndihmave nga Imami i Xhamisë së Vjetër në Podujevë, Imri Llugalliu, në bashkëpunim me disa punëtorë të KEDS-it, të cilët i dhuruan disa ndihma ushqimore, askush tjetër nuk i kishte ndihmuar.
“Kemi nevojë për shumë gjëra, duke filluar nga më elementarët e deri tek rregullimi i shtëpisë, si dhe vajzat t’i dërgoj te mjeku, mirëpo nuk kemi mundësi t’i bëjmë këto gjëra, sepse nuk kam të ardhura fare, andaj lus bamirësit që të na ndihmojnë sadopak që edhe vajzat e mia të jetojnë si të gjithë të tjerët”, ka shtuar Nurija duke fshirë lotët.
Streha e vetme që ka kjo familjë është një shtëpi dydhomëshe, e pamobiluar. Në njërën dhomë i ka disa shtretër të shtrirë në tokë dhe një mjet për ngrojhe, ndërsa, në dhomën tjetër nuk ka asgjë, përveç dyshemesë prej betonit./Llapi.info