10-vjeçari Leugzim Halili, është nxënësi i vetëm i fshatit Murgullë të Podujevës.
E, për të arritur në shkollë, atij i duhet të udhëtojë me kombi-bus rreth shtatë kilometra, raporton KTV.
Ai vijon mësimet e klasës së katërt në Shkollën Fillore “Sami Frashëri”, në fshatin Zhiti. Udhëtimi i tij për në shkollë mundësohet përmes këtij kombi-busi, me të cilin ai shkon çdo ditë në shkollë.
Mësimin e nis në këtë objekt të vjetër e me pak shoqëri, por me shumë përkushtim.
Mësuesi Nebih Avdiu, ndonëse nuk ka pranuar të flasë para kamerës, ka treguar se klasa e katërt në këtë shkollë ka vetëm pesë nxënës.
E, gjithçka, sipas tij, po shkon në mënyrë të rregullt.
Shoferi i cili transporton çdo ditë 10-vjeçarin, Ylldon Sinani, thotë se i duhet të shkojë ta marrë deri te dera e shtëpisë.
Ai tregon se has në vështirësi dhe se është interesant që Leugzimi të jetë udhëtari i tij i vetëm.
Sinani tregon se, përveçqë e sjell në shkollë, ai duhet ta presë atë derisa ta përfundojë mësimin dhe sërish ta kthejë në shtëpi.
Që Leugzimi ta ndjekë mësimin, komuna e Podujevës ka ndarë 612 euro për t’ia paguar atij transportin.
Por, në drejtorinë e Arsimit në këtë komunë, nuk kanë qenë të gatshëm të flasin para kamerës së KTV-së.
Madje, të premten, ata nuk kanë qenë as në vendin e punës.
Leugzimi është njëri nga pak nxënësit që vijojnë mësimin në këtë shkollë, si pasojë e braktisjes së fshatrave.