Brenda pak ditësh, ish-kryetari i Komunës së Kllokotit, Sasha Mirkoviq, është liruar nga dy akuza që e ngarkonin atë për vepra penale që lidhen me korrupsionin.
Të enjten në Gjykatën Themelore në Gjilan, Mirkoviq është liruar nga akuza për mashtrim në detyrë.
Aktgjykimi ndaj tij është shpallur nga gjykatësi Agim Ademi, i cili ka deklaruar se nga provat e propozuara, dëgjimi i dëshmitarëve si dhe provat materiale, nuk është gjetur si i akuzuari Mirkoviq, ka kryer veprën penale me të cilën ngarkohej.
Ish-kryetari i Kllokotit, akuzohej se pa shpalljen e tenderit për sigurimin e projektit kryesor për asfaltimin e rrugës Verboc-Mogillë-Ura e Dilit dhe pa pasur kontratë të nënshkruar me nëpërmes kompanisë “Zuka Commerce”, e cila e ka fituar tenderin për të kryer punimet e rrugës, në emër të hartimit të projektit nga firma “Roni-Ing”, ka urdhëruar shërbimin e pagesave të komunës që të paguaj për shumën prej 22,781.11 euro.
Sipas gjykatësit Ademi, projekti është hartuar nga Komuna e Vitisë dhe si i tillë është dorëzuar në Komunën e Kllokotit, pagesa i është bërë kryerësit të projektit e jo hartuesit dhe pagesën e ka bërë firma që e ka ekzekutuar vendimin.
Sipas aktakuzës, Sasha Mirkoviq, më 30 gusht 2010 duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, si kryetar i Komunës së Kllokotit, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete, apo personin tjetër, ka kryer mashtrim në detyrë.
Prokuroria Themelore në Gjilan, pretendonte se i pandehuri pa shpalljen e tenderit për sigurimin e projektit kryesor për asfaltimin e rrugës Verboc-Mogillë-Ura e Dilit dhe pa pasur kontratë të nënshkruar me firmën “Roni-Ing” në Viti, me pronar Florim Ramaj, ka urdhëruar shërbimin e pagesave të komunës që të paguaj për “Zuka Commerce”, shumën prej 22,781.11 euro.
Këtë, sipas aktakuzës, e ka bërë në emër të projektit kryesor të rrugës dhe shërbimi i pagesave të komunës më 10 maj 2011, i ka bërë pagesë firmës në fjalë, e cila pastaj më 27 qershor 2011, i ka paguar këtë shumë firmës “Roni – Ing” e pronarit Florim Ramaj, në bazë të një fature me nr.1106-2011, të ofruar nga Ramaj në emër të projektit të rrugës.
Me këto veprime, prokuroria pretendon se i pandehuri ka dëmtuar buxhetin e Komunës së Kllokotit për shumën prej 22,781.11 euro.
Ish-kryetari i Komunës së Kllokotit, Sasha Mirkoviq, edhe të premten e javës së kaluar pas tërheqjes së prokurorit Shaban Spahiu nga aktakuza që e ngarkonte atë për keqpërdorim të pozitës zyrtare, ndaj tij ishte shpall aktgjykim refuzues.
Deri te ky aktgjykim i gjykatës kishte ardhur pasi prokurori Shaban Spahiu, vendosi të tërhiqet nga ndjekja penale ndaj ish-kryetarit Sasha Mirkoviq dhe ish-nënkryetarit Marko Svilanoviq, me arsyetimin se për të njëjtën çështje tashmë është marrë një vendim i formës së prerë, dhe atë me një tjetër ish-zyrtar të kësaj komune, Boban Bogdanoviq.
Ndryshe, ndaj tij, po në këtë gjykatë, janë duke u zhvilluar edhe tri procedura të tjera të cilat po ashtu kanë të bëjnë me vepra penale që lidhen me korrupsionin./Betimi për Drejtësi/