Grabitjet me armë janë duke vazhduar në Kosovë.

Kësisoj, brenda një jave dy të tilla ndodhen në Komunën e Podujevës, raporton Llapi.info

Rasti i parë kishte ndodhur të shtunën më 5 janar, ku dy persona të maskuar kishin grabitur para dhe cigare në një pompë derivashtesh.

Rastin e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës, derisa siç ka njoftuar policia gjatë kësaj grabitjeje, të dyshuarit kishin shtënë me armë në ajër.

“Rr. 28 Nëntori, Podujevë, më 05.01.2019 – 04:20. Dy viktima meshkuj K/Shqiptarë, kanë raportuar se derisa ishin duke punuar në një pikë të derivateve, dy persona të maskuar dhe nën kërcënim të armës u kanë grabitur një shumë parash prej 260€ dhe pesë pako me cigare. Të njëjtit duke u larguar kanë shtënë me armë zjarri në ajër. Nuk raportohet për të lënduar ndërsa në vendin ngjarjes është gjetur dhe sekuestruar në gëzhojë”, pati njoftuar PK.

Pas një jave, një tjetër rast grabitje nën kërcënimin e armës, ndodhi të shtunën që lamë pas. Cak kësaj here ishte një bastore në rrugën “Skënderbeu”.

Rastin e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës, duke njoftuar se janë grabitur rreth 1 mijë euro.

“Podujevë 12.01.2019 – 19:04. Ankuesi mashkull K-Shqiptar ka raportuar se për deri sa ishte në lokalin e tij duke punuar tre të dyshuar të maskuar dhe nën kërcënimin e armëve të zjarri kanë grabitur rreth 1000 euro para të gatshme. Rasti është duke u hetuar nga njesitet relevante policore”, ka njoftuar Policia.
Ndërkohë, në Kosovë janë shtuar rastet e grabitjeve të armatosura dhe rasti më i rëndi ka qenë ai në Istog muajin e kaluar, ku ka mbetur i vdekur një polic si dhe grabitësi i armatosur./Llapi.info