AstraZeneca ka filluar tashmë prodhimin e 30 milionë dozave të vaksinës së coronavirusit, e cila është zhvilluar në bashkëpunim me studiuesit në Universitetin e Oksfordit.

Sipas The Guardian, përcjell Telegrafi, vaksina nuk është aprovuar ende për përdorim derisa është ende duke iu nënshtruar testimeve në Britani të Madhe, Brazil, dhe në Afrikën e Jugut.

Ndërkohë, Andrew Pollard, drejtori i Grupit të Vaksinave në Oksford, pati deklaruar muajin e kaluar se vaksina e Oksfordit mund të rezultojë e suksesshme edhe para lansimit final.

Vaksina e cila është e zhvilluar nga një virus i shimpanzesë, doli e suksesshme në fazën e saj të dytë të testimit e cila ishte zhvilluar në Britani të Madhe.

Sekretari i Shëndetësisë, Matt Hancock, tha se tashmë ka filluar prodhimi i vaksinave nga AstraZeneca, shumë më përpara se të jepet ndonjë miratim.

“Ne tashmë i kemi porositur 30 milionë doza të vaksinës nga AstraZeneca, derisa edhe prodhimi i tyre ka filluar, përpara miratimit”, u shpreh ai.