Mbretëria e Bashkuar në seancën e së martës të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara ka thënë se si njohëse e shtetësisë së Kosovës, mirëpresin njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Kenia.

Përfaqësuesi i Britanisë në OKB i inkurajoi të gjitha shtetet që s’e kanë bërë një gjë të tillë dhe sa më parë.

“Si përkrahëse e shtetësisë së Kosovës, e mirëpresim njohjen së voni të Kenias. Inkurajojmë të gjithë ata që s’e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, ta bëjnë këtë sa më shpejt”.

Në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së po diskutohet raporti i ri gjashtëmujor i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së për zhvillimet në Kosovë.

“Derisa raporti i Sekretarit të Përgjithshëm thekson shumë faktin që ka presion tek serbët në Kosovë, janë përpjekjet e suksesshme të Kosovës për të rekrutuar policë nga komuniteti serb. Shprehim keqardhje që gjyqtarët dhe prokurorët nga komunitetet joshumicë nuk kanë kërkuar që të rikthehen në institucionet e Kosovës”, deklaroi përfaqësuesi britanik në OKB.

Ai ka përsëritur qëndrimin e Britanisë, duke kërkuar rishikimin e rolit të UNMIK-ut në Kosovë.