Portieri veteran Gianluigi Buffon beson se Juventusi kishte nevojë për ndryshim dhe tani shpreson se trajneri Maurizio Sarri do të mbetet në Allianz Stadium, pasi që kjo do të thotë se bardhezinjtë do ta mbyllin sezonin me një ose më shumë trofe.

Juventusi është për momentin në kreun e tabelës së Serisë A, është duke luftuar për një vend në finale të Kupës së Italisë, si dhe është përgatitur për t’u përballur me Olympique Lyonnais në 1/8 e finales së Ligës së Kampionëve, transmeton Gazeta Express.

Por, përkundër këtyre sukseseve, Maurizio Sarri është kritikuar shumë për vitin e tij të parë si trajner i Juventusit dhe, gjatë javëve të fundit, Juventusi është përfolur se do të tentojë ta marrë Pep Guardiolën e Manchester Cityt gjatë verës.

Portieri Buffon i ka dalë në mbrojtje trajnerit të tij Sarri dhe ka kërkuar nga tifozët bardhezinj të kenë më shumë durim.

“Ishte e nevojshme ta ndryshojmë lëkurën për t’u përballur me një tjetër provës. Na duhet më shumë kohë. Ishte vendimi i duhur për të provuar diçka më ndryshe në mënyrë që t’i arrijmë synimet tona”, ka thënë Buffon.

“Shpresoj që Sarri do të mbetet sepse kjo do të thotë se ne do të kemi fituar diçka këtë sezon”.

Portieri 41-vjeçari ishte kritikuar për mënyrën se si e kishte përshëndetur një tifoz kinez pas gjysmëfinales së Kupës së Italisë në Milan, pasi që kishte bërë shaka për koronavirusin. Por, ish-portieri i Kombëtares së Italisë pretendon se ai e kishte bërë atë si veprim të mirë dhe tha se do ta përsëriste atë shaka.

“Do të tallesha në atë mënyrë sërish. Ishte një pyetje e këndshme, për të krijuar empati. Ka gjithmonë shumë tifozë kinezë. Atë natë, ai ishte i vetmi dhe unë tentova të komunikoj me të për ta bërë të ndihet më mirë”, shtoi Buffoni.

“Unë e dërgova një mesazh që në një moment kur, veçanërisht në Itali, ka shumë mungesë tolerance. Unë kërkoj falje nëse ndokush është ofenduar”.