Bujku Safet Bekteshi nga fshati Babimoc i Obiliqit ka shumë vite që merret me kultivimin e kulturave të ndryshme bujqësore, kryesisht atë të specit.
Por, ky vit atij nuk është duke i shkuar ashtu siç kishte pritur. Ai ankohet se po has në vështirësi të shumta për t’i shitur kulturat bujqësore të kultivuara me mjaft mund, raporton KTV.
Madje, të mërkurën Safeti i cili ka 15 sera me rreth 60 ari tokë të mbjella me produkte bujqësore, është detyruar që t’i hedh 80 thasë speca në mbeturina.
Kjo për shkak se inspektorati i kësaj komune bashkë me policinë, nuk po e lejon atë dhe shumë të tjerë të shesin, edhe pse thotë se stendën e kishte të vendosur në arën e tij.
Ai thotë se me këtë veprimtari, të cilën e ka mbijetesë, nuk po arrin t’i siguroi as mjetet e investuara, derisa ankohet se edhe në treg nuk u ka mbetur vend për të shitur.
Edhe një bujk tjetër është detyruar që rreth 200 thasë speca t’i hedhë në lumin e Llapit, për shkak se nuk u lejuan t’i shesë.
Ai konsideron se kjo është një padrejtësi që po u bëhet pasi, sipas tij, prodhuesit e fshatit fqinj shesin pa problem në të njëjtën mënyrë dhe vend.
Këta bujq paralajmërojnë një takim me kryetarin e komunës për t’ua bërë një zgjidhje, pasi thonë se 20 metra larg rrugës nuk kanë fare punë.
Në rast se komuna nuk ndërmerr diçka lidhur me këtë çështje, thonë se do të dalin edhe në rrugë për ta bllokuar në shenjë proteste.
Ndërkaq, kryetari i Komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi, nëpërmjet telefonit ka thënë për KTV-në se shitja e atyre produkteve në një rrugë magjistrale siç është ajo në drejtim të Mitrovicës, është e rrezikshme për çka janë detyruar që bashkë me Ministrinë e Infrastrukturës t’i largojnë nga aty.
Megjithëkëtë, gjatë javës së ardhshme Gashi ka thënë se do të mundohen që bashkërisht me kultivuesit e perimeve, të gjejnë një zgjidhje të favorshme brenda mundësive të lejuara.