Edhe Lëvizja Vetëvendosje në Podujevë, sot ka hapur zyrtarisht fushatën zgjedhore, ku mori pjesë edhe kryeministri i vendit, Albin Kurti, njofton Llapi.info.

Në këtë tubim hapës, kandidati për kryetar të komunës nga radhët e këtij subjekti politik, Shpejtim Bulliqi duke prezantuar plan-programin qeverisës, ka thënë se në Komunën e Podujevës do të ketë investime të mëdha. Ai ka premtuar se do të investojë në arsim, shëndetësi, bujqësi e zhvillim.

Bulliqi ka thënë se do të bëhet dyfishimi i fondeve për ndarje të bursave për studentë. Bulliqi tha se 59 mijë euro do të ndahen qysh në vitin e parë për këto nevoja. Ai tha se do të ngritët edhe një çerdhe në këtë komunë, duke akuzuar qeverisjen e tanishme që ka ndërtuar vetëm një të tillë.

“Komuna është e të gjithëve, pa dallim, ajo nuk diskriminon, çdo diskriminim që qytetarët e përjetojnë çdo ditë nga kjo qeverisje lokale, do të marrë fund me datën 15 mars. Lëvizja Vetëvendosje si subjekt social, alternativen e saj qeverisëse e ndërton në tri shtylla themelore: shtetin zhvillimor, shtetin social dhe shtetin e së drejtës. Rekrutimi i personelit arsimor bazuar në vlera profesionale, e jo në baza partiake e politike, siç ka ndodhur deri sot. Në shkollat tona do të punësohen me merita ata që i plotësojnë kushtet, me qëllim të ngritjes së cilësisë në arsim”, tha Bulliqi.

Shpejtim Bulliqi shtoi se do të ketë ndihmë buxhetore për kreditimin e bizneseve prodhuese, ku tha se do të krijohet një fond prej 500 mijë euro në vit.

“Do të krijohet zona ekonomike. Nga data 15, bizneset do të lirohen nga tatimi. Nën qeverisjen e Vetëvendosjes do të ketë shërbime shëndetësore cilësore, pa pritje të gjata më qendër të mjekësisë familjare. Do ta funksionalizojmë spitalin e qytetit, në të cilin u pre shiriti disa herë. Do t’i rregullojmë rrugët dhe do të investojmë në ambient dhe urbanizëm, derisa do e shtrijmë ndriçimin publik nëpër fshatra”, ka thënë Bulliqi.

I pranishëm në këtë tubim ishte edhe kryeministri i vendit, Albin Kurti. Kurti tha se sikurse vitin e kaluar që është kërkuar ndryshim në drejtimin e Qeverisë, sot po kërkojmë ndryshim në drejtimin e Komunës e Podujevës.

Kurse, nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Arbërie Nagavci, tha se në Komunën e Podujevës i është dhënë prioritet shëndetësisë, arsimit e infrastrukturës, vetëm atëherë kur kanë qenë në pyetje tenderët./Llapi.info

Lëvizja Vetëvendosje hap fushatën në Podujevë

Gepostet von Llapi.info am Dienstag, 3. März 2020