Sot janë bërë 22 vjet nga masakra në familjen Bogujevci dhe Duriqi në Podujevë, ku paramilitarët serbë shuan 14 anëtarë civilë, shkruan Llapi.info.

Masakra ndodhi katër ditë pas fillimit të sulmeve ajrore të NATO-s ndaj Serbisë, të cilat zgjatën 11 javë. Ishte 28 Marsi i 99-ës, kur njësiti i Ministrisë së Brendshme të Serbisë “Shkorpionët”, kishte mësyrë Podujevën. Në këtë ditë 14 anëtarë të familjes Bogujevci e Duriqi u masakruan në një kopsht në Podujevë nga pjesëtarët e kësaj njësie paramilitare serbe.

Në nderim të viktimave, kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi, së bashku me nënkryetaren e Kuvendit, Saranda Bogujevci dhe deputetë të tjerë llapjanë kanë bërë homazhe pranë varreve të kësaj masakre.

“Sot, bashkë me nënkryetaren e Kuvendit, Saranda Bogujevci, deputetë llapjanë dhe udhëheqës të ekzekutivit të Komunës, kemi bërë homazhe për të nderuar dhe përkujtuar 14 anëtarët e vrarë të familjes Bogujevci dhe Duriqi, që u vranë mizorisht nga forcat paramilitare serbe.  Në 22 vjetorin e këtij krimi makabër të forcave paramilitare serbe, kujtojmë familjet Bogujevci dhe Duriqi si dhe të gjithë ata që kanë pësuar nga krimet gjenocidale të Serbisë mbi popullaten e pafajshme civile shqiptare.  Sot ne që gëzojmë lirinë dhe udhëheqim me Institucione duhet të punojmë shumë dhe sipas idealeve të dëshmorëve dhe martirëve, si dhe të kujtojmë përherë vuajtjen dhe sakrificën e popullit tonë për liri dhe pavarësi”, ka shkruar ai në Facebook.

Viktima më e re ishte dy vjeçe.14 anëtarë të familjeve Bogujevci e Duriqi, shtatë fëmijë të moshës prej 2 deri 15 vjeç dhe shtatë gra, ishin ekzekutuar. Shpëtim Bogujevci (10), Shpend Bogujevci (13), Sale Bogujevci (39), Nora Bogujevci (15), Shefkat Bogujevci (43), Shehide Bogujevci (67), Nefise Bogujevci Llugaliu (54), Fezdrije Llugaliu (21), Dafina Duriqi (9), Arbera Duriqi (7), Mimoza Duriqi (4), Albion Duriqi (2), Fitnete Duriqi (36) dhe Isma Duriqi (69), ishin vrarë.

Pushkatimin e mbijetuan me plagë të rënda pesë fëmijë: Saranda, Fatosi, Jehona, Liria dhe Genc Bogujevci. Saranda u mbijetoi 16 plumbave për të treguar aktin makabër të bërë nga barbarët serbë./Llapi.info