Formimi i komisionit ndërkombëtar për vlerësimin e demarkacionit mes Kosovës dhe Malit të Zi nga ana e presidentes Jahjaga, për ekspertin e gjeografisë Shpejtim Bulliqi është hap i drejtë, ai madje ka thënë se do të jetë i gatshëm të bashkëpunojë në rast se i vije ndonjë ftesë.
“Gjithsesi ne jemi të gatshëm ti ofrojmë të gjitha faktet tona që i kemi në dispozicion të këtij komisioni në mënyrë që ky komision ta bëjë në mënyrën sa më të mirë të mundshëm punën”, ka thënë Bulliqi për Indeksonline, duke shtuar se do të bashkëpunonte me ta në mënyrë që në fund të dihet realisht se cila është gjendja faktike pas gjithë kësaj pune që është bërë.
Ai më pas ka shtuar se gjithmonë ka insistuar që në komisionin e deritanishëm të demarkacionit të jetë edhe ndonjë nga ekspertët ndërkombëtarë.
“Nuk duhet ta paragjykojë suksesin apo mossuksesin e këtij komisioni , e kam thënë edhe më herët që ka qenë e udhës të jetë dikush edhe prej pjesës së ekspertëve ndërkombëtarë pjesë e këtij komisioni”, theksoi Bulliqi.
Bulliqi më pas është shprehur pesimist lidhur me rezultatin e punës së këtij komisioni.
“Me që presidentja e ka vlerësuar kësisoj ta bëjë punën ne presim që kjo punë të kryhet sa më mirë dhe të del realiteti në shesh, edhe pse forma çfarë është krijuar unë nuk shpresojë shumë në atë , sepse në rast se ky komision nuk i merr të gjitha faktet për bazë ti analizojë që nga fillim atëherë në qoftë se bazohet vetëm në analizën e dokumentacionit që e ka servuar komisioni i deritashëm i demarkacionit nuk besoj që rezultati do të jetë pozitivë”, u shpreh Bulliqi.