Profesori i fushës së gjeografisë dhe deputeti i LDK-së, Shpejtim Bulliqi ka folur menjëherë pas raportimit të Komisionit Ndërkombëtar për demarkacion me Malin e Zi, duke thënë se ka pritur një gjë të tillë ngaqë ai komision është formuar që të vjen në këtë përfundim. Ai thotë se e do të jetë e vështirë të implementohet në terren ky rezultat.

“Problemi ka me qenë si do ta aplikojnë në terren këta. Njerëzve u kanë mbetur varret në anën tjetër. Njerëzit e dinë situatën faktike në terren”, ka thënë Bulliqi për Koha.net.

Gabimi i parë, sipas Bulliqit që foli për Koha.net, është se pse pala kosovare ka pranuar që të futet në një proces demarkimi të kufirit duke e marrë për bazë kriterin kadastral, transmeton Koha.net.

“Kriteri kadastral tek ne në Kosovë është, mos me thënë në gjendje të mjerueshme. Është rasti i parë në botë që vihen kufijtë shtetëror mes dy shteteve, duke u mbështetur ekskluzivisht në kriterin kadastral”, ka shtuar Bulliqi.

Ai ka thënë se është pritur një vendim i tillë nga ky komision, ngaqë për këtë është formuar.

“Komisioni është formuar për qëllime të tilla, që me ardhë ky rezultat të cilin e kanë dhënë. Kjo për arsye se neve na kanë thënë decidivisht se ‘ne nuk jemi duke i shikuar substancën, por na intereson se këtë që e kanë bërë, a e kanë bërë me këto vija’, dhe rezultati ka dalë ky sepse tjetër nuk mund të del. Ata kanë e kanë sjellë këtë rezultat dhe ja pafshin hairin”, ka thënë Bulliqi, duke shtuar se bashkë me Florim Isufin i kanë paraqitur të gjitha të dhënat dhe hartat, të cilat janë të pandryshueshme dhe të bëra nga institucionet kredibile.

Sipas Bulliqit, argumentet shkencore tregojnë se Kosova po i humbë 8,300 hektarë.