Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ka apeluar te qytetarët llapjanë që të mos ndizen goma dhe mbeturina tjera me rastin e 1 Majit, njofton Llapi.info.
Në një postim në Facebook, kreu i Podujevës ka thënë se inspektorët komunalë do t’i gjobitin të gjithë ata që praktikojnë një gjë të tillë.
“Në prag të 1 Majit – Ditë Ndërkombëtare të Punëtorëve, datë në të cilën në vendin tonë praktikohet djegia e gomave dhe mbeturinave tjera në lokacione të ndryshme andaj u bëj apel që të përmbaheni nga kjo formë e shënimit të kësaj feste, e cila është e papranueshme, e rrezikshme dhe nuk përkon asgjë̈ me ne, e as me traditën tonë. Me qëllim të parandalimit të rasteve eventuale, inspektorati komunal do të jetë në detyrë dhe kështu do të gjobitë çdo kënd që praktikon formë të tillë të shënimit të kësaj feste”, ka shkruar ai.
“Poashtu, ditëve të fundit, në kuadër të angazhimeve të përditshme, kam vizituar lokalitete të ndryshme të Komunës tonë ku takova qytetarët, bujq e fermerë të vyer të cilët kanë filluar përgatitjet për mbjelljet pranverore. Ajo çfarë më shqetësoi është fakti se edhe sivjet po përsëritet një dukuri negative nga disa qytetarë tanë, të cilët gjatë pastrimit të pronave të tyre, arave dhe livadheve të tyre, ata po i djegin mbetjet dhe kështu po dëmtojnë pronat, po ndotin ambientin dhe njëkohësisht po paraqesin rrezikshmëri për djegien e pyjeve. Bashkë me dëshirën për të mbjella të bereqetshme pranverore u bëj thirrje qytetarëve ta ruajnë ambientin dhe të ndalojnë praktikën e djegies së barishteve dhe mbetjeve tjera, të cilat, po ashtu dëmtojnë rëndë florën dhe faunën”, ka shkruar tutje ai./Llapi.info