Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, u ka dërguar shkresë zyrtare ministrit të Shëndetësisë, Armend Zemajt dhe drejtorit të SHSKUK-së, Valbon Krasniqit, për anulimin e projektit për ndërtimin e Spitalit të Përgjithshëm të Podujevës, raporton Llapi.info.

Ai në postim në Facebook ka thënë se Spitali i Podujevës, sipas tij, është jashtëzakonisht i nevojshëm për qytetarët llapjanë.

“Sot i kam dërguar shkresë zyrtare ministrit në detyrë të Shëndetësisë, z.Armend Zemaj, dhe drejtorit të SHSKUK-së, z.Valbon Krasniqi, ku kam shprehur indinjatën e thellë time dhe të qytetarëve të Komunës së Podujevës për anulimin e projektit për ndërtimin e Spitalit të Përgjithshëm të Podujevës. Ministri Zemaj muaj më parë në kohë të fushatës elektorale së bashku me ekzekutivin e asaj kohe, në konferencë për media patën prezantuar edhe projektin për Spitalin e Podujevës, por tani Qeveria në detyrë ka anuluar të gjitha procedurat për Spitalin i cili është jashtëzakonisht i nevojshëm për qytetarët e Komunës sonë. Kjo nuk mund të jetë tjetër veçse hakmarrje ndaj qytetarëve të Podujevës për vullnetin e shprehur në mënyrë të lirë e demokratike – me votë, në zgjedhjet komunale të 29 nëntorit”, ka shkruar ai./Llapi.info