Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ka bërë të ditur se është refuzuar kërkesa për ndërtimin e hidrocentralit në lumin Kaçandoll, raporton Llapi.info.

Ai në një postim në Facebook ka thënë se pas anulimit  të këtij hidrocentrali është ruajtur degradimi i ambientit.

“Pas insistimit dhe këmbëngulësisë sonë, që të mos lejojmë ndërtimin e  hidrocentralit në rrjedhën e lumit Kaçandolli, sot edhe Ministria e  Ekonomisë dhe Ambientit ka refuzuar ta pajis me pëlqim mjedisor kompaninë “Hidrocom” sh.p.k. Llapllasellë, Graçanicë. Në këtë mënyrë ia kemi dalë ta ruajmë atë zonë nga degradimi i ambientit, siç do t’i ruajmë edhe pasuritë e tjera natyrore në komunën tonë”, ka thënë ai.

Komuna e Podujevës pati ushtruar padi në fillim të këtij muaji ndaj Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit (MEA) për fillimin e procedurave, siç ka thënë, në mënyrë arbitrare, për pajisje me pëlqim mjedisor për kompaninë “Hidrocom” për ndërtimin e hidrocentralit në lumin Kaçandoll.

Mirëpo kompania e cila kërkonte lejen për ndërtimin e tij pati deklaruar se ky hidrocentral nuk e dëmton natyrën e asaj pjese.

Ky projekt parashihej të ndërtohej brenda 24 muajsh. Hidrocentrali pritej të prodhonte mesatarisht 6,081,730 kilovat orë energji elektrike në vit.