Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ka bërë homazhe para arkivolit me trupin e këngëtarit Ismet Bogujevci, të vendosur në hollin e Teatrit Kombëtar të Kosovës, njofton Llapi.info.

Bulliqi ka thënë se homazhet i ka bërë edhe me zyrtarë tjerë komunalë, derisa ka shtuar se Podujeva do të kujtojë përherë Bogujevci, që vdiq një ditë më parë.

“Bashkë me nënkryetaren e Komunës, znj Lahu dhe kolegë të ekzekutivit kemi bërë homazhe pranë arkivolit të legjendës së muzikës popullore, Ismet Bogujevci. Në librin e përkujtimit shënova: Ismet Bogujevci përpos kontributit në zhvillimin e artit, me zërin dhe këngët e tij, e mbajti gjallë kulturën shqiptare në periudha shumë të vështira për kombin tonë. Podujeva do ta kujtoj përherë me krenarinë më të madhe. Me respekt, Shpejtim Bulliqi Kryetar i Komunës së Podujevës”, ka shkruar Bulliqi.

Homazhe gjatë ditës së sotme kanë bërë edhe krerë të institucioneve shtetërore./Llapi.info