Kryetari i Komunë së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ka përcjellë nga afër punimet për ndërtimin e sheshit të qytetit, njofton Llapi.info.

Ai në një postim në Facebook ka thënë se ka shprehur gatishmërinë e plotë të administratës komunale për t’i kryer të gjitha procedurat e nevojshme, që ky projekt të realizohet brenda afateve të planifikuara.

“Gjatë ditës bashkë me drejtorin e planifikimit urban dhe mbrojtje e mjedisit, Bujar Hasani, drejtorin e shërbimeve publike, Fevzi Jetullahu, vizituam punimet në segmentin e dytë të Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”. Pashë nga afër përgatitjet për fillimin e punimeve dhe shpreha gatishmërinë e plotë të administratës komunale për t’i kryer të gjitha procedurat e nevojshme, që ky projekt të realizohet brenda afateve të planifikuara. Punimet në qytet zakonisht përcillen me vështirësi për qytetarët, por edhe për bizneset, prandaj do të jemi të përkushtuar në mbikqyrje të dinamikës së realizimit të projektit dhe kualitetit të punimeve”, ka shkruar ai./Llapi.info