Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, dhe drejtori i Drejtorisë së Shërbimeve Publike, Bahri Selimi kanë inspektuar disa punime që po kryhen në fshatra, shkruan Llapi.info.
Në një postim në Facebook, Bulliqi ka thënë se janë të përkushtuar që projektet, sipas tij, të arrijnë në çdo cep të komunës së Podujevës.
“Bashkë me drejtorin e Shërbimeve Publike, Bahri Selimi, sot vizituam punimet në realizimin e projekteve në lokalitete të ndryshme. Fillimisht në fshatin Llaushë vizituam punimet në pastrimin dhe rregullimin e shtratit të lumit, projekt i rëndësisë së veçantë për banorët e këtij fshati. Gjithashtu vizituam edhe punimet që po bëhen për ndërtimin e rrugës në fshatin Dumnicë. Jemi të përkushtuar që projektet tona të arrijnë në çdo cep të komunës tonë”, ka shkruar ai./Llapi.info