Kandidati për kryetar të Podujevës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Shpejtim Bulliqi, ka mohuar zërat se kandidimi i tij ka të bëjë me ç’rrënjosë rugovizmin në Llap, njofton Llapi.info.

Madje, Bulliqi këto pretendime i ka quajtur të ulëta, vetëm e vetëm siç ka thënë ai, për ta dëmtuar atë.

“Këto janë nivele shumë të ulëta. Më e ulët është në qoftë se merret emri i një akademiku dhe keqpërdoret gjoja se e përkrah Shpejtim Bulliqin. Lidhja ime me akademikun Qosja s’ka të bëjë asgjë. Bulliqi nuk ka dal në garë për ta rrënuar rugovizimin, por keqqeverisjen lokale, e cila për 20 vite e ka bërë lamë komunën e Podujevës. Mjafton një vizitë e shkurt që ta shihni se në cilën gjendje është Podujeva. Ato nuk mbyllen me rugovizëm, e as me shpifje. Këto nuk mund të më ulin e as denigrojnë. Të thuhen këto janë manipulim”, ka thënë Bulliqi në RTV Dukagjini.

“Janë ekipa e kryetarit në mënyrë që të krijojnë propaganda të tjera, por unë po ju them që shpejtim Bullqi është 500 herë ma rugovist se kandidati i tanishëm i LDK-së”, u shpreh ai në Debat Plus.

Ai ka thënë se gjatë kohës sa ishte në LDK ka lënë shenja dhe rezultate, duke thënë se LDK e përdor rugovizmin vetëm për të zhvatur shtetin.

“Kam lënë shenja dhe rezultate gjatë angazhimit tim politik në LDK. Këta rugovizmin dhe Rugovën e kanë vetëm për ta zhvatur shtetin për t’u fshehur nga ajo”, ka thënë ai./Llapi.info