Shpejtim Bulliqi, kandidat për kryetar të Podujevës nga VV, ka thënë se punësimet në Komunën e Podujevës bëhen në baza partiake, njofton Llapi.info.

Bulliqi në debatin e parë me kundërkandidatët për kreun e Komunës, ka përmendur emërimin e vëllait të kandidatit të LDK-së si u.d i drejtorit të shkollës “Shaban Shala”.

“Se sa është serioze administrata komunale, unë po e dha vetëm një shembull. Vëllai i nënkryetarit, tani kandidatit të LDK-së, zgjidhet u.d i drejtorit të shkollës pa konkurs, në muajin dhjetor të vitit 2019. Tjetra, Komuna e Podujevës punëson pa konkurs psikologen pa përgatitje profesionale. Kjo është administrata që ka udhëheq zotëria”, ka thënë ai.

E pas këtyre, Nexhmi Rudari pyeste Bulliqin se ku është inspektorati i arsimit. Ai ka thënë se nuk është në dijeni për psikologen, ndërsa thekson se është në dijeni për emërimin e vëllait të tij në krye të shkollës “Shaban Shala”.

“Nuk është në konflikt interesi. Ai është punëtor i asaj shkolle qe 32 vite. Është profesori më i miri në nivel vendi. Tri here ka marrë pjesë në olimpiadën e matematikës botërore”, ka thënë Rudari, duke mos dhënë detaje tjera se përse nuk është hapur konkursi për drejtor shkolle.

Sa i përket punësimeve, kandidati i PDK-së në Podujevë, Naim Fetahu, ka thënë se në krye me të administrata do të jetë e depolitizuar.

“Besoni në komunën tonë nuk kemi konkurrencë, për faktin se nuk e dinë kush zgjidhet në institucione komunale. Paraprakisht e dinë kush zgjidhet. Kushti kryesor më shumë se profesional, është të kesh librezë partiake për të hyrë në punë”, ka shtuar ai, duke thënë se tani është hapur konkursi edhe për bursa dhe subvencione.

Por, në lidhje me këto akuza, Nexhmi Rudari ka potencuar se këto akuza janë të pabazuara.

“Sa i përket akuzave që i bëtë janë plotësisht të pabazuara. Unë ju them se përgjegjësi se në një konkurs kemi problem të bëjmë një listë të ngushtë, nuk është se s’ka konkurrencë. Sa i përket bursave në fushatë. Bursat janë të planifikuara me buxhet dhe ne jemi ndoshta Komuna e vetme në Kosovë që përkrahim me bursa edhe nxënësit shkollave të mesme. Administrata komunale në Podujevë është ndër më të suksesshmet në nivel vendi. Çdo herë e kemi pasur raportin e Auditorit pozitiv”, ka thënë Rudari./Llapi.info