Kryetari i zgjedhur i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi ka vizituar sot dy pacientët nga kjo komunë, të cilët janë strehuar në Qendrën e Rehabilitimit në Shtime, njofton Llapi.info.

Në një postim në Facebook, Bulliqi ka thënë se ata po marrin trajtimin dhe përkujdesjen e duhur profesionale në këtë qendër.

“Para pak kohësh i kam vizituar dy pacientët nga Llapi, të cilët i kemi strehuar në Qendrën e Rehabilitimit në Shtime. Bazuar në kushtet jo adekuate në të cilat bënin jetën si pasojë e problemeve serioze shëndetësore, muaj më parë, bëra gjithçka që ishte e mundur që këta qytetarë të qytetit tonë të strehohen dhe të marrin trajtimin e merituar në këtë qendër. Jam i lumtur që ata sot janë akomoduar mirë, po marrin trajtimin dhe përkujdesjen e duhur profesionale në këtë qendër. Në vazhdimësi do të angazhohem që të gjejmë mundësi për trajtim të tillë edhe të rasteve tjera në komunën tonë”, ka shkruar ai./Llapi.info