Ditë më parë ka nisur ndërtimi i Bulevardit dhe Sheshit të Dëshmorëve në Podujevë, me ç’rast edhe është mbyllur një segment i rrugës kryesore, njofton Llapi.info.

Përurimin solemn e bëri kreu i Komunës së Podujevës, Agim Veliu. Ai e ka vlerësuar se ky është njëri nga projektet më të rëndësishme në qytet.

“Filluam punimet në realizimin e njërit nga projektet më rëndësishëm për qytetin tonë, ndërtimin e Bulevardit dhe Sheshit të Dëshmorëve, në qendrën e qytetit. Me investimet e bëra deri tash dhe projektet që po realizojmë, Podujeva po merr pamjen e një qyteti modern evropian”, ka thënë Veliu.

Mirëpo, këto investime dikujt s’po i pëlqejnë. Eksperti i komunikacionit, Faton Bunjaku, ka thënë se qytetarët në Podujevë, sipas tij, dëshirojnë të ikin nga Podujeva si rezultat i papunësisë.

Sipas tij, Komuna e Podujevës ka mbetur pa bibliotekë të qytetit, pa pediatër, nivel të ulët të arsimimit dhe zhvillimit ekonomik. Përveç këtyre, Bunjaku ka ironizuar se në vend që të investohet në këta sektorë, investohet siç e ka quajtur ai “shëtitore”.

“Çdo i dyti qytetar don që të ikë nga Podujeva për një jetë më të mirë si rezultat i papunësisë e nivelit të ulët të jetesës edhe prap ”REKREACION” për qytetarë pa bibotekë e nivelin më të ulët të arsimimit, pa zhvillim ekonomik e prodhimtari, me papastërti e nivel të ulët të mirëmbajtjes së rrugëve, rrugë pa sinjalizim e qytet pa parkingje, shërbimi shëndetësor në nivelin më të ulët e 90,000 banor pa pediatër… e çka jo më keq edhe investohet në shëtitore”, ka thënë ai në një postim në rrjetin social, Facebook.

Ndërkaq, për shkak të punimeve, Komuna e Podujevës ka kërkuar nga qytetarët që t’i shfrytëzojnë rrugët tjera për qarkullim./Llapi.info