Drejtuesi i Komitetit për Komunikime Elektronike dhe Postare në Lëvizjen Vetëvendosje, Fatban Bunjaku, ka thënë se bllokimi i mundshëm i llogarive të Telekomit për shkak të mosrespektimit të marrëveshjes me Z-Mobile do të ishte një bombë shoqërore për vendin.

Në Express Intervistën në KTV, ai ka thënë se kontrata e Telekomit me Z-Mobile është maja e ajsbergut për krim të organizuar në Kosovë.

Z-Mobile ka thënë që nëse Telekomi nuk e paguan pjesën e mbetur të borxhit sipas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Arbitrazhit, do të detyrohet ta dërgojë në përmbarim. Kjo sipas Bunjakut, do të trondiste sistemin e komunikimeve elektronike në Kosovë.

“Është kontratë dhe produkt i krimit të organizuar. Asnjë pikë që del nga kjo kontratë Telekomi s’duhet ta ketë obligim. Duhet që të gjithë akterët e përfshirë të dalin para drejtësisë”, ka thënë ai teksa ka shtuar se dërgimi i Telekomit në përmbarim “do të shkaktonte bombë shoqërore, edhe tronditje të thellë të sistemit të komunikimit elektronik në Kosovë”.

Ai ka thënë se Qeveria s’duhet të lejojë më “zhvatjen” dhe se duhet të ndërpresë kontratën me Z-Mobile.

Bunjaku ka thënë se rezoluta e korrikut 2018 me pikat që shpjegonin rrugën për, siç tha ai, shpëtim të Telekomit, duhet të ekzekutohet dhe të mos lejohet zhvlerësimi i mëtejmë i Telekomit.

Më tej, Bunjaku ka thënë se pos kontratës me Z-Mobile, Telekomi ka edhe shumë kontrata tjera të cilat janë të dëmshme. Sipas tij, është edhe subkontraktimi me “PayKos” për pikat e shitjes së Valës. Kjo ka thënë se është kontratë pa shpjegim logjik e komercial. Bunjaku ka përmendur edhe vendosjen e antenave.

“Telekomi ka mjaft punëtorë, pika shitëse e për rishitje të mbushjes e ka subkontraktu këtë te ‘PayKos’ pa asnjë shpjegim as logjik as komercial. E kemi të freskët edhe politikën e mbrapshtë të vendosjes së antenave. Marifeti më i madh në telefoninë mobile është vendosja e antenave e në Telekomin e Kosovës përjashtuar fazën fillestare kur inxhinierët bënë punë të mirë, pastaj menaxhmenti vendosi t’i vendosë nëpër prona familjare për zhvatje”, ka thënë ai.

Sipas Bunjakut, Z-Mobile konsumon 60 për qind të resurseve të Valës, ndërsa 40 për qind vetë Vala.

Ka paralajmëruar se do të merren masa për të mos lejuar shkatërrimin “e qëllimshëm” të Telekomit.

Për procesin e privatizimit ka thënë se ka jokonsistencë në deklarata nga Qeveria. “Thonë se do të marrin fonde edhe nga BERZh-i për ta rikonstruktuar e më pas bëjnë takime me kompanitë fantome që shprehin interes për privatizim të Telekomit. Telekomi duhet të jetë bërthama e sistemit të komunikimit në vend”, ka shtuar Bunjaku.

Sipas tij, Kosova duhet të marrë shembull KEDS-in për dështim të privatizimit.

Në fund, Bunjaku ka paralajmëruar dërgimin në Kuvend të një ligji i cili e ka një pikë specifike ndalimin e operatorëve virtualë mobilë në Kosovë.