Në mëngjesin e sotëm është plagosur një grua nga burri i saj në Bresje të Fushë Kosovës.

I dyshuari për plagosjen e gruas par pak ditësh ka qenë i arrestuar për dhunë në familje dhe i njëjti ka qëndruar vetëm 48 orë në paraburgim.

Burimet e Sinjalit thonë se para katër ditësh, i dyshuari u arrestua për dhunë në familje, pasi u denoncua nga viktima për dhunë psikike e presion të vazhdueshëm.

Pasditen e 2 gushtit, në rrugën “Nënë Tereza” në Fushë Kosovë, i dyshuari kishte ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes për shkak të konflikteve për xhelozi.

Denoncimi i rastit vuri në lëvizje Policinë dhe pas arrestimit, i dyshuari u dërgua në mbajtje për 48 orë

Pas përfundimit të masës së ndalimit policor, i dyshuari u lirua dhe shkoi një hap më tej, ku sot e plagosi viktimën, rast ky që mund të përfundonte me fatalitet.

Nga Klinika Emergjente kanë bërë me dije se viktima u dërgua në gjendje të rëndë, por fatmirësisht për momentin është me vetëdije.

“I ka kryer disa intervenime, por për momentin gjendja është stabile. Ka disa plagë hyrëse dalëse por gjendja është stabile”.

Rasti është konfirmuar për Sinjalin edhe nga Policia Rajonale në Prishtinë.