Prokuroria Themelore e Gjakovës ka vendosur ta dërgoj në paraburgim burrin i cili kishte tentuar ta vras me thikë ish-bashkëshorten e tij.

Sipas njoftimit të prokurorisë thuhet se i dyshuari në park të qytetit kishte goditur tetë herë me thikë, ish-gruan e tij në qafë, gjoks, brinjë dhe duar, raporton Gazeta Insajderi.

“Prokuroria njofton se rasti ka ndodhur më 31 mars 2021, tek parku i qytetit në Gjakovë, ku i pandehuri me dashje ka tentuar ta privoj nga jeta bashkëshorten e tij, të dëmtuarën R.J., duke e goditur atë tetë herë me thikë, në qafë, gjoks, brinjë e duar. E njëjta nga lëndimet e marra është dërguar për tretman mjekësor në Spitalin Rajonal të Gjakovës”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.

Sulmi ndaj gruas ka ndodhur në prezencë të dy fëmijëve të tyre, me ç’rast i dyshuari është larguar nga vendi i ngjarjes ka bërë të ditur prokuroria.

“Prokuroria Themelore në Gjakovë, ka bërë kërkesë në Gjykatën kompetente në Gjakovë, për caktimin e masës së paraburgimit, ndaj të pandehurit M.J., me dyshimin e bazuar se i njëjti ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë në tentativë”. Prokurori i rastit ndaj të pandehurit M.J., ka bërë kërkesën për caktimin e paraburgimit në afat prej 30 ditësh, dhe i njëjti me urdhër të prokurorit gjendet në ndalim nga data 31 mars 2021”, thuhet në njoftim.

Gazeta Insajderi ka raportuar edhe gjatë ditës së djeshme lidhur me këtë rast, ku ishte arrestuar i dyshuari M.J nën veprën penale “vrasje në tentativë”.

“Gjakovë 31.03.2021 – 15:30. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që i njëjti e kishte sulmuar me thikë ish bashkëshorten e tij viktimën femër kosovare. Viktimës i është ofruar tretman mjekësor dhe e njëjta është hospitalizuar për tretman të mëtutjeshëm”, thuhej dhe në raportin e policisë.