Përleshjet mes miqve e familjarëve në vendin tonë nuk janë të rralla dhe në shumicën e rasteve përfshihen edhe familja e nuses dhe e dhëndrit. Për motive të ndryshme, shumë prej tyre përfundojnë në Polici, ku kërkojnë ndihmë për zgjidhjen e telasheve.
Një konflikt familjar ka ndodhur në Pejë, ku një burrë dyshohet se ka rrahur brutalisht bashkëshorten e tij. E në ngjarje u përfshi edhe vëllai i kësaj të fundit.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë bëjnë me dije se vëllai i viktimës me të marrë vesh për dhunën e ushtruar ndaj motrës së tij, është përleshur fizikisht me dhëndrin, duke i shkaktuar atij lëndime të rënda trupore.
Si pasojë e kësaj, palët e përfshira në rast kanë marrë ndihmë mjekësore shkaku i lëndimeve që morën, ndërkohë që lidhur me rastin është njoftuar edhe Policia e Kosovës.
Dy të dyshuarit janë shoqëruar në stacion policor, ku janë intervistuar nga organet e hetuesisë.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që të dyshuarit të dërgohen në mbajtje.
Burri që rrahu gruan dhe u përlesh me mikun do të hetohet për veprat penale ‘Dhunë në familje’ dhe ‘Lëndim i lehtë trupor’, ndërsa i dyshuari tjetër do të hetohet për ‘Lëndim të rëndë trupor’ ndaj dhëndrit të tij.