Ekspertët e sigurisë e kanë mirëpritur vendimin e qeverisë për ndarjen e mbi 100 milionë eurove për Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK), por sipas tyre duhet ende të ketë rritje të buxhetit për t’i plotësuar nevojat e Ushtrisë.
Nuridin Ibishi, ekspert i sigurisë ka thënë se është mirë që qeveria e re e ka marrë më seriozisht këtë çështje, për të kontribuar në ngritjen e kapacitetet të saja.
“Qeveria e re në kornizën buxhetore 2022-2024 parasheh edhe rritjen buxhetore të FSK-së për 100 milionë euro që është inkurajuese, pasi që jemi në fazën e tretë të pandemisë e cila ka një rënie dhe është një investim kapital për FSK-në në një fazë të tranzicionit, dhe unë shpresoj që qeveria e re e ka marrë shumë më seriozisht se qeveritë e mëparshme këtë çështje të sektorit të sigurisë, duke shpresuar që të arrijë kapacitetet e saj pas disa viteve aty ku duhet”, tha Ibishi për EO.
Më tej ai theksoi se mundësitë e krahasimit me vendet e tjera të rajonit sa i përket armatimit janë larg, por që ky buxhet i parashikuar është pozitiv dhe do ndihmojë në rritjen e furnizimit ushtarak.
“Po flasim për mundësitë tona që realisht vështirë është që të krahasohemi me vendet e rajonit që ato kanë arritur një kapacitet shumë më të madh buxhetor dhe shumë më funksional dhe të përkushtuar. por në këtë fazë të tranzicionit mendoj që ky buxhet i parashikuar është i mirë dhe çdoherë kam qenë kritik mu për atë që janë bërë restruksione në sektorin e sigurisë dhe në veçanti në FSK, dhe kjo ka qenë mungesë edhe e politikës që kjo mos të ndodh. Mendoj që kjo është pozitive, mirë është dhe jep shpresë që faza e tranzicionit të kaloj në një fazë të përshpejtuar”, thekson tutje ai.
Tutje Ibishi thotë se është shumë e rëndësishme që merret parasysh edhe pjesa e aviacionit luftarak dhe pjesë tjera të rëndësishme për FSK-në, dhe që lidhen direkt me sigurinë tonë në vend.
“Nuk ka kufizim në kalibra, mendoj që këtu duhet të merret parasysh edhe mundësia edhe për pjesën tjetër të aviacionit luftarak ofensivë, helikopterët që për destinacione të ndryshme që ajo veç është paraparë në program, mandej edhe zbatimi i politikave prej strategjisë së Sigurisë Kosovës e cila ende nuk është miratuar por është hartuar dhe ka marrë gati formën finale, është edhe strategjia e mbrojtjes që është shumë e rëndësishme dhe ligjet bazike që janë Ligji për policinë ushtarake, Ligji për mbrojtjen kibernetike, dhe çështje tjera të cilat lidhen me aspekte substanciale të sigurisë edhe brenda FSK-së por edhe përgjithësisht për sektorin e sigurisë”, përfundoi ai për EO.
Në anën tjetër, Ish-komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Kadri Kastrati, thotë se prioritet kryesor i çdo qeverie do duhej të ishte mbrojtja dhe siguria për të pasur kapacitetet e përmbushjes së misionit të tyre.
Më tej ai thekson se pavarësisht lajmit të mirë të këtij buxheti, qeveria do duhej të ndante buxhet më të madh duke e pasur parasysh shpenzimet dhe rritjen e kapaciteteve për FSK-në.
“Unë edhe shumë më herët e kam cekur që qeveritë e ardhme duhet që prioriteti mos të jetë më asfalti apo investimet që janë bërë por duhet të kalojë një prej prioriteteve kryesore që është mbrojtja dhe siguria, për arsye se është shumë e nevojshme që Ushtria e Kosovës të ecë drejt arritjes së kapaciteteve të veta për t’i përmbushur misionet dhe detyrimet e veta. Ky paralajmërim është i mirë, por prapë them se nuk është i mjaftueshëm”.
“Ushtria e Kosovës sipas ligjeve do t’i ketë pesë mijë pjesëtarë aktiv dhe tre mijë rezervë, dhe nëse marrim që ushtria vitin e ardhshëm do t’i rrit për një mijë persona kapacitetet e veta njerëzore atëherë vetëm në paga e uniforma, armë personale dhe shpenzime tjera do t’i harxhon këto para shtesë sa janë të parapara. Qeveria do duhej shumë më shumë të ndante mjete financiare sepse ne jemi në fazën e ngritjes së kapaciteteve, ne çdo gjë për me arrit këto kapacitete Kosova do duhej që t’i blejë për herë të parë siç janë armatimet dhe pajisjet e sofistikuara”, tha ai.
Ai përmend faktin se me këtë buxhet është e pamundur me u arrit nevojat që i ka Ushtria e Kosovës.
“Me këtë buxhet është e pamundur me u arrit gjithë ato nevoja që i ka Ushtria e Kosovës, dhe mos të flasim që ka dhënë ndonjë premtim elektoral ku kanë përmendur shërbimin e detyrueshëm dhe del se ka qenë një lloj mashtrimi, pasi nuk ka shans që Kosova ta bëjë një projekt gjigand të tillë dhe sidomos me një buxhet të tillë. Por prapë them se në të ardhmen për vitin 2022 është i mjaftueshëm por tutje Kosova do duhej ta ketë dyfishin dhe nuk mjafton prej 150-250 milionë sipas përllogaritjeve të mia do duhej që ta ketë buxhetin e vet për t’i arritur gjitha ato kapacitete që i ka të nevojshme”, përfundoi ai për EO.
Korniza Afatmesme e Shpenzimeve 2022-2024 e miratuar në mbledhjen e 10-të të Qeverisë parasheh që, duke filluar nga viti i ardhshëm, buxheti vjetor i Ministrisë së Mbrojtjes për herë të parë të jetë mbi 100 milionë euro.