Gjatë ditës së sotme në Gjykatën Themelore të Prishtinës është mbajtur seanca gjyqësore për rastin e 18-vjeçarit, Lulzim Fejzullahu, i cili u rrah për vdekje nga dy të mitur më 14 janar, pasi Gjykata e Apelit e riktheu në rigjykim.

Pas seancës, avokati i familjes Tomë Gashi ka thënsë se presin që të ketë një gjykim të drejtë.

“Gjykimi i mëhershëm i të riut Lulzim Fejzullahu ka përfunduar në fundin e majit të këtij viti dhe për shkak të ankesave të caktuara që kanë qenë, Gjykata e Apelit e ka rikthyer në rigjykim. Sot faktikisht ka vazhduar me gjykim i cili do të vazhdojë edhe më datë 29 të këtij muaji dhe ne presim që Gjykata të vendosë drejtë në përputhje me dispozitat ligjore dhe të sjellë vendimin i cili do të ishte edhe sadisfaksion për familjen e Lulzimit por që edhe drejtësia të vendoset drejtë dhe në interes të drejtësisë nuk është zvarritja e këtyre çështjeve ligjore por Gjykata Themelore e ka obligim të vendosë në përputhje me institucionet juridike që janë dhënë nga Gjykata e Apelit”, ka thënë Gashi.

Edhe nga ana e familjes është kërkuar drejtësi.

Rrahim Fejzullahu, axha i Lulzim Fejzullahut, ka thënë se kërkesa e tij është që të ketë drejtësi.

“Unë ia kam lënë drejtësisë. Vetëm drejtësi maksimale kërkoj, kështu që dashtë Zoti kemi ku mbështetëmi dhe punon drejtësia’’, është shprehur ai.

Seanca e rradhës mbahet më 29 të këtij muaji.