Paraqitja e suksesshme ndaj Danimarkës ka pasur ndikimin e saj edhe në stërvitjen që të premten e zhvilloi përfaqësuesja e Kosovës në futboll.

Përfaqësuesja në mesditën e së premtes u është kthyer përgatitjeve për ndeshjen ndaj Bullgarisë, që zhvillohet të hënën (20:45) në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Me këtë ndeshje Kosova i nis eliminatoret për “Euro 2020”, shkruan sot “Koha Ditore”.

Barazimi 2:2 ndaj Danimarkës, të enjten, vlerësohet të jetë në shërbim të paraqitjes sa më të mirë të Kosovës ndaj bullgarëve. Rezultati pozitiv nga miqësorja ka bërë që atmosfera në përfaqësuese të jetë shumë pozitive në stërvitjen e së premtes.

Lojtarët janë parë të buzëqeshur dhe plot energji për t’iu përgjigjur kërkesave të përzgjedhësit Bernard Challandes. Zvicerani me përvojë e ka udhëhequr stërvitjen në të cilën nuk morën pjesë të gjithë lojtarët. Gjithsej ishin 10 lojtarë, duke mos përfshirë këtu tre portierët e Kosovës.