Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, në një konferencë për media, ka reaguar lidhur me raportimet e fundit për planifikimin e ekzekutimit të ish-senatorit zviceran Dick Marty nga shërbimet sekrete serbe.
Ajo tha se kjo tendencë e rikonfirmon faktin që Serbia po përpiqet edhe më tej ta njollosë të vërtetën për Kosovën dhe UÇK-në dhe shtoi se edhe më shqetësues në këtë rast është vërtetimi i manipulimit që i është bërë ish-senatorit Marty nga shërbimet sekrete serbe, të cilat e kanë furnizuar atë me informata të fabrikuara dhe dosje të prodhuara në kabinetet politike në Beograd dhe Moskë, mbi bazën e të cilave është ngritur edhe Gjykata Speciale.
“Pra, nëse një orkestrim për eliminim fizik të Martit nga shërbimet sekrete serbe është evident, vetëm me qëllim që të përpiqen të njollosin edhe më tej të vërtetën tonë, është krejt e vërtetuar se një orkestrim për njollosjen e luftës së UÇK-së nga po të njëjtat struktura dhe e njëjta mendësi, përmes senatorit Marty ka qenë agjendë e mirë organizuar dhe e qëllimshme, e cila s’ka pasur të bëjë asgjë as me të vërtetën, as me drejtësinë. Dhe kjo përbën një absurd për të vërtetën dhe drejtësinë, sepse sot, taksapaguesit evropianë paguajnë për një gjykatë e cila është ngritur mbi dezinformatat dhe fabrikimet e shërbimeve sekrete serbe, shtet i cili ka kriminelë lufte me emër e mbiemër që janë të pandëshkuar për krimet e tyre, përderisa në anën tjetër, të njëjtit i mundësohet të arrijë deri aty sa të fabrikojë e të manipulojë me dëshmi të rreme për krime lufte të UÇK-së”, tha Çitaku.
Para gazetarëve apo po ashtu u shpreh se konsideron që kjo situatë e krijuar, është një shkëndijë fillestare për Kosovën dhe Bashkimin Evropian për të shtruar disa pyetje për të cilat ish-senatori Marty do të duhej të sqarohej.
“Cilat kanë qenë rrethanat që kanë nxitur apo detyruar z. Marty që të hetojë pretendimet e fabrikuara nga shërbimi sekret serb dhe ai rus për trafikimin e organeve nga UÇK-ja? Kush dhe cilat shërbime sekrete i kanë dhënë z. Marty dëshmi e prova, mbi të cilat ai ka ardhur në konstatimet e tij për krimet e luftës së UÇK-së? A ka qenë i kërcënuar apo shantazhuar atëherë, dhe a ndihet i manipuluar sot, pasi që vetë jeta e tij është në rrezik, nga po të njëjtat struktura që luajnë edhe rolin e kriminelit edhe të viktimës?”, thekson Çitaku.