Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka emëruar Petrit Çollakun drejtor ekzekutiv të AGK-së.
Emërimi i Çollakut në detyrën e re vjen pas shkarkimit të Arben Salihut nga ky post për shkak të dyshimeve për keqpërdorim të detyrës zyrtare, konflikt interesi, falsifikim dokumentesh, raportim të rrejshëm para bordit të AGK-së dhe lidhje të kontratave të dëmshme pa dijeninë e këtij bordi.
Bazuar në dyshimet fillestare, Salihu prej datës 14 mars 2018 ka qenë i suspenduar nga detyra me qëllim që t’i hapej rrugë një auditimi gjeneral dhe të pavarur të organizatës për periudhën dyvjeçare. Pas pranimit të Raportit të Auditimit janë konstatuar shumë shkelje të cilat kanë shtyrë bordin që ta shkarkojë nga detyra.
AGK-ja ka miratuar edhe dorëheqjen e financieres Florina Desku, e cila është ofruar pas prezantimit të draft dokumentit të auditimit të pavarur, ku evidentohen shkelje dhe lëshime në fushën e menaxhimit të financave si dhe pasi është zënë duke raportuar rrejshëm lidhur me raportet financiare të dorëzuara tek donatorët.