Modalitetet e marrëveshjes përfundimtare Kosovë-Serbi do të diskutohen në takimin e radhës, kanë paralajmëruar në Zyrën e Presidencës së Kosovës. Kjo do të ndodhë, pavarësisht mungesës së konsensusit brenda Kosovës për temat dhe rolin prijës të presidentit Hashim Thaçi.
Në Zyrën e presidentit janë shprehur të përcaktuar për t’u hyrë diskutimeve të fazës finale, kurdo që i thërret përfaqësuesja e lartë e BE-së, Federica Mogherini.
Bekim Çollaku, këshilltar i presidentit Hashim Thaçi, ka thënë se, përveç diskutimeve të ideve dhe propozimeve për marrëveshjen përfundimtare, “si gjithmonë, do të diskutohet edhe për zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri më tani”.
“Tani është e qartë se procesi i dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është futur në fazën e vet përfundimtare. Prandaj është krejtësisht e parashikueshme dhe e pritshme që në takimin e radhës të bisedohet për modalitetet e marrëveshjes përfundimtare, e cila duhet të shënojë normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërshtetërore. Kjo për Kosovën nënkupton sigurisht asgjë më pak se njohje reciproke”, ka thënë Çollaku për “Kohën Ditore”.
Bekim Çollaku ka thënë se Presidenti Thaçi është i mandatuar nga Kushtetuta për të udhëhequr me politikën e jashtme, në këtë rast me dialogun.
“Presidenti nuk ka nevojë për ndonjë mandatim shtesë nga ndonjë institucion tjetër shtetëror, duke përfshirë parlamentin. Pra, sigurisht që Presidenti do të vazhdojë të përfaqësojë Kosovën dhe të udhëheqë procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë në çdo takim të radhës, kurdo që ai thirret nga ndërmjetësuesja Mogherini”, ka thënë ai.
Por, sipas tij, dialogu për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është një çështje tepër e rëndësishme dhe me interes nacional.
“Në shërbim të kësaj, arritja e një konsensusi sa më të gjerë politik dhe shoqëror, do të ishte një element tepër i rëndësishëm plotësues në kuadër të këtij procesi”, ka shtuar ai.
Sipas Çollakut, është e mirëseardhur një mbështetje politike gjithëpërfshirëse e cila mund të dalë qoftë nga një rezolutë e re e parlamentit apo qoftë si deklaratë e përbashkët e partive politike.
“Një gjë e tillë, do të dëshmonte pjekurinë institucionale dhe shoqërore, që në temat e rëndësisë vitale shtetërore, ne dimë të bashkohemi dhe të punojmë bashkë”, ka shtuar ai.
Çollaku ka thënë se tani është e qartë se procesi i dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është futur në fazën e vet përfundimtare.