Aktori i njohur dhe autori i disa librave, Çun Lajçi, për disa ditë me radhë ka dalë të shesë librat e tij autoriale nëpër shumë Komuna të Kosovës, shkruan Llapi.info.

Lajçi sot ka shpalosur librat edhe në sheshin “Ali Ajeti” në Podujevë. Ai ka njoftuar se sot do t’i shes librat e tij deri në ora 15:00 në  këtë komunë.

Sipas autorit të shumë teksteve të këngëve, arsyeja se pse po del t’i shesë librat e tij në qytete nuk është nga skamja, por si shenjë rebelizmi ndaj kastave politike të cilat nuk po bëjnë asgjë për artin.

“Por dijeni, se nuk po e baj nga skamja, por nga rebelizmi im, ndaj nji kaste politike, që s’çan mendjen për artin! Rrofshin shesh-xhirimet e filmave të dikurshëm, që na mësuan se si kalitet arti e si mbahet e shëndoshë mendja!”, ka shkruar ditë më parë Lajçi në një postim në Facebook.

Më 10 gusht aktori i njohur i teatrit kishte promovuar librin e tij të ri “Bastardët” mbi gurët e moçëm të urës së Prizrenit. Këtë promovim ai e kishte quajtur promovim të bastarduar./Llapi.info

Bastardët n'PODUJEVË27.08.2020

Gepostet von Çun Lajçi am Donnerstag, 27. August 2020