Gazeta serbe, Blic, sot ia ka kushtuar një artikull Gjykatës Speciale, duke e cituar ministrin serb, Ivica Daçiq se të parët që do të paditen janë Azem Syla, Daut Haradinaj dhe Sokol Dobruna.

Sipas kësaj gazete, prokuroria special në Hagë, në krye të së cilës erdhi Jack Smith, ka gjetur dëshmi për mbi 60 ish-drejtues dhe anëtarë të UÇK-së me aktakuza për krime të luftës dhe shkelje të kryera në fund të vitit 2000.

Ata theksojnë se paditë e para pritet të bëhen në fillim të këtij viti dhe se ajo që shumicës i intereson është nëse aty do të jetë edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili kishte theksuar se Gjykatës Speciale “do t’i përgjigjet në çdo kohë, rrethanë dhe me të gjitha mjetet”,edhe pse themelimin e këtij institucioni e kishte cilësuar si padrejtësi historike për shqiptarët, shkruan Blic, transmeton Klan Kosova.

Daçiq po ashtu ka theksuar se i gjithë kati i plotë në Sheveningen të Hagës është i zbrazët, që sipas tij i bie të jenë 12 qeli për nevoja të Gjykatës Speciale për krimet e UÇK-së.

Ndërsa avokati Bozho Preleviq deklaroi se këto aktakuza nuk do të ngriten aq shpejt ose të paktën edhe për një vit, derisa negociatat mes Beogradit e Prishtinës të përfundojnë dhe të normalizohen marrëdhëniet mes tyre.