“Kjo Qeveri, ky kryetar i Serbisë, ky koalicion qeverisës, kurrë nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës të shpallur njëanshëm”, ka thënë shefi i diplomacisë serbe Ivica Daçiq.
Ai, duke folur në Kuvendin e Serbisë ka pyetur se çfarë është marrëveshja detyruese juridike nëse ajo nuk është vetë marrëveshja? “E çfarë është marrëveshje jodetyruese juridike, pra? Ne insistojmë për zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit”, citon “danas” të ketë thënë Daçiq.
Duke folur për deklaratat e zyrtarëve të Kosovës se Asociacioni i Komunave serbe do të krijohet pas anëtarësimit të Kosovës në OKB ose pas nënshkrimit të marrëveshjes detyruese juridike, Daçiq ka thënë:
“Kjo jo vetëm që nuk është thënë, por kjo është ikje nga mospërmbushja e detyrimeve të tyre”.
Sipas fjalëve të tij, “BE duhet të reagojë në deklarata të tilla që dëgjohen nga Kosova sepse duket se tash detyruese është ajo që e kemi nënshkruara para pesë vjetësh e kërkohen bisedime të reja”.
”Kjo nuk është temë për tregti politike se a do të hyjmë në BE pas një, dy, tre ose më shumë vjetësh. Unë nuk ngurroj ta them këtë edhe publikisht. Bashkimi Europian është pikëpyetje edhe sa kohë do të ekzistojë, ndërsa Serbia do të ekzistojë përgjithmonë dhe duhet të kemi kujdes për interesat kombëtare e shtetërore”, ka thënë Daçiq .