Ministrat serbë janë udhëzuar t’i kushtojnë vëmendje të veçantë problemit të Kosovës gjatë çdo takimi me kolegët e tyre ndërkombëtarë.
Siç shkruan gazeta beogradase “Vecernje Novosti”, kjo veçanërisht ka të bëjë në takimet me zyrtarët e atyre vendeve që supozohet se janë në gjendje të tërheqin njohjen e pavarësisë së Kosovës.
Serbia, sipas gazetës, aktualisht nuk ka kontratë me ndonjë agjenci lobimi që do të përfaqësonte interesat e vendit në raport me Kosovën, por ky opsion nuk përjashtohet në të ardhmen,përcjell Telegrafi.
Ministri i Punëve të Jashtme, Ivica Daçiq, tha se 173 vende kanë nënshkruar marrëveshje lobimi me agjencitë amerikane dhe vlerësoi se është e qartë se bota moderne po funksionon në këtë mënyrë.
“Ju vetëm duhet ta bëni transparente mënyrën se si bëhet kjo dhe mendoj se duhet të lobojmë për interesat tona atje ku merren vendimet”, tha Daçiq.
Gazeta serbe, duke u thirrur në të dhëna nga Shtetet e Bashkuara, shkruan se Qeveria e Serbisë nga viti 2006 deri në vitin 2008 i ka paguar gjithsej 800 mijë dollarë agjencisë “Barbour Griffith&Rogers”. Daçiç ka thënë të enjten se Qeveria serbe nënshkroi një kontratë me “Grupin prej 30 pikash strategjike” në vitin 2008, me një pagesë mujore prej 42 mijë dollarë amerikanë. Ai tha se në vitin 2011, ministri Vuk Jeremiq nënshkroi një marrëveshje lobimi me “Podesta Group” për 100 mijë dollarë në muaj, bazuar në një vendim të qeverisë.
“Po flas për kontratat zyrtare që janë nënshkruar. Agjencisë së parë i janë paguar 1.4 milion dollarë, kurse 900 mijë dollarë i janë dhënë “Podesta Group”, tha Daçiq.
Shefi i diplomacisë serbe vuri në dukje se “Podesta Group” vetëm disa muaj më vonë nënshkroi kontratë me Prishtinën, sipas së cilës duhej të vepronte drejtpërdrejtë kundër interesave të Serbisë.